Inflacion rekord në Kosovë: Mishi, frutat, qumështi, djathi e vezët me rritje prej 5.3 për qind
Inflacioni në Kosovë arriti në 5.3 për qind në muajin nëntor, duke shënuar nivelin më të lartë të vitit dhe një përshpejtim të ndjeshëm të rritjes së çmimeve, të udhëhequr nga ushqimet, energjia dhe shërbimet bazike.
Rritje e fortë gjatë gjithë vitit, kulmi në nëntor
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit në nëntor u rrit me 5.3 për qind me bazë vjetore, ndërsa në krahasim me tetorin inflacioni ishte 0.4 për qind. Ky nivel është pothuajse katërfishuar krahasuar me janarin, kur inflacioni ishte vetëm 1.5 për qind. Nga muaji qershor nisi rritja më e shpejtë, e cila vazhdoi deri në fund të vitit.
Produktet ushqimore kryesojnë shtrenjtimet
Rritja e çmimeve është drejtuar kryesisht nga ushqimet bazike. Frutat u shtrenjtuan me 16.1 për qind, ndërsa mishi arriti rritje vjetore prej 13.7 për qind. Qumështi, djathi dhe vezët pësuan rritje dyshifrore prej 10.5 për qind. Produktet si kafeja, çaji dhe kakaoja kanë mbetur gjithashtu në nivele të larta, me rritje prej 14 për qind në nëntor.
Energjia elektrike dhe lëndët djegëse rrisin presionin inflacionist
Energjia elektrike vijon të jetë një nga faktorët kryesorë të inflacionit. Ajo u rrit me 15.5 për qind në nëntor, pas një shtrenjtimi prej mbi 20 për qind në tetor. Ndërkohë, drutë e zjarrit dhe peleti u shtrenjtuan me 9.6 për qind, duke reflektuar kostot më të larta të ngrohjes.
Ngritje e gjerë në produkte dhe shërbime
Të dhënat tregojnë se përveç ushqimeve dhe energjisë, rritje të çmimeve shënuan edhe shërbimet e transportit personal, shërbimet hoteliere, kujdesi personal, vajrat dhe yndyrnat, duke ndikuar në total me mbi 5 për qind në inflacionin vjetor.
Ekspertët alarmojnë për kostot e larta të jetesës
Ekonomisti Shenoll Muharremi theksoi se inflacioni ka prekur nivele historike, duke arritur në 5.3 për qind nga vetëm 0.7 për qind në nëntorin e kaluar. Ai shtoi se rritja e çmimeve në produkte bazike po godet rëndë buxhetet familjare, me pjesën më të madhe të të ardhurave që shkojnë për ushqime dhe barna.